Po kaloni kufirin? Nga nesër duhet të merrni parasysh sa para mbartni
Bruksel – Rregulla të reja për kontrollimin e parave të gatshme dhe vlerave që hyjnë dhe dalin nga BE do të hyjnë në fuqi nesër.
Të gjithë udhëtarët që hyjnë ose dalin nga territori i BE-së do të duhet të plotësojnë një deklaratë parash kur ata mbajnë 10,000 euro ose më shumë në monedhë ose ekuivalentin e saj në monedha të tjera, si dhe në mjete të tjera pagese të tilla si çeqet e udhëtarëve ose kambialët .
Komisioni Evropian deklaron se rregulli i ri është pjesë e përpjekjeve të BE në luftën kundër pastrimit të parave dhe burimeve të financimit të terrorizmit.
Nga nesër, ndryshime të shumta do të zbatohen në BE, të cilat do të forcojnë më tej rregullat dhe do ta bëjnë edhe më të vështirë lëvizjen e sasive të mëdha të parave të “pazbuluara”.
Së pari, përkufizimi i “parave të gatshme” sipas rregullave të reja do të zgjerohet për të përfshirë monedha ari dhe sende të tjera të arta.
Së dyti, autoritetet doganore do të jenë në gjendje të veprojnë në shuma më pak se 10,000 euro, kur ka indikacione se paraja e gatshme ka të bëjë me veprimtari kriminale.
Më në fund, autoritetet doganore tani mund të kërkojnë që të bëhet një deklaratë kur vërejnë se para të gatshme prej 10,000 € ose më shumë po dërgohen të pashoqëruara me postë, mallra ose ndërlidhës.
Rregullat e reja do të sigurojnë që autoritetet kompetente dhe njësia kombëtare e inteligjencës financiare në secilin shtet anëtar kanë informacionin e nevojshëm për të monitoruar dhe zgjidhur lëvizjen e parave që mund të përdoren për të financuar veprimtari të paligjshme, përfundojnë ata në Bruksel.