Ushqyerja me gji e rekomanduar edhe nëse nëna ka kovid 19
Qumështi i nënave të infektuara me kovid 19 nuk përmban gjurmë të virusit, por është një vektor për transmetimin e antitrupave dhe rekomandohet dhënia e gjirit në rast infeksioni, tregoi studimi i fundit spanjoll.
I kryer brenda iniciativës “MilkCorona” të Këshillit Spanjoll për Kërkime Shkencore dhe Spitalit Universitar në Valencia, studimi përcaktoi se asnjë nga mostrat e qumështit të gjirit të analizuar nuk përmbante gjurmë të ARN të koronavirusit.
Maria Carmen Collado, studiuesja e ngarkuar me projektin, tha se antitrupat e zhvilluar nga nëna u gjetën në mostrat e qumështit, “që sugjeron që qumështi i gjirit është një vektor për transmetimin e antitrupave”.
Mjekët në Klinikën e Pediatrisë në Valencia deklarojnë se këto rezultate nënvizojnë rëndësinë e rekomandimit sistematik të ushqyerjes me gji në të gjitha rastet në të cilat nëna ka pak ose aspak simptoma.
Studimi analizoi praninë e antitrupave në qumështin e gjirit të 75 grave që morën vaksinat Pfizer / Biontek, Moderna dhe Astrazeneca.
Të gjitha mostrat u gjetën që përmbajnë antitrupa në nivele të ndryshme, në varësi të vaksinës.
Eshtë treguar gjithashtu se qumështi i grave që morën një dozë të vetme të vaksinës pasi u infektuan me virusin dhe qumështi i grave që morën të dyja dozat e vaksinës pa u infektuar ndonjëherë përmbante të njëjtin nivel të antitrupave.