Merr flakë deponia e qytetit – drejtori i Moravicës dhe pushteti lokal në gjumë
Ditën e enjte në deponinë e qytetit të Preshevës është paraqitur zjarr.
Siç ka mësuar Presheva.al, zjarri në deponi është paraqitur diku në orët e mesditës. Prej atëherë pushteti lokal nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për fikjen e zjarrit, edhe pse dje ka mbajtur mbledhje Këshilli komunal, ndërkohë që për këtë çështje është dashtë të thirret mbledhje e Shtabit për situata emergjente, por ja që nuk është bërë asgjë.
Ndërkohë, qytetarë të shumtë të komunës sonë – kalimtarë rasti, kanë dërguar foto nga tereni dhe kanë shprehur ankesa për kundërmimim e erës së keqe në vendbanimet përreth, sidomos të pjesës së epërme të qytetit.
Edhe pse Ndërmarrja Moravica tashmë në pllacin e deponisë e ka të siguruar një bulldozer, i njejti është parë në hyrje të deponisë, duke mos u angazhuar në fikjen e zjarrit.
Përderisa nga ana e Ndërmarrjes Moravica iu shkojnë vërejtje dhe vendime mbi konfiskimin e pasurisë qytetarëve të komunës sonë, në këtë rast drejtori i kësaj ndërmarrje ka dështuar në menaxhimin e situatës së krijuar me zjarrin në deponi.
Të paktën ka mundur t’i angazhojë makineritë e ndërmarrjes për lokalizimin e zjarrit, apo edhe të fikjes së tij të plotë brenda gati 20 orëve derisa po raportojmë, por fatkeqësisht asgjë nuk është ndërmarrë deri në këto momente.
Shpresojmë që kohës në vijim, pushteti do të zgjohet nga gjumi dhe sot të paktën të angazhohen për fikjen e zjarrit, kur kemi parasysh prezencën e mërgimtarëve tanë që kanë ardhur për pushime në vendlindje.
Presheva.al do të përcjellë edhe në vazhdim situatën në deponinë e qytetit dhe do të ju informojë me kohë për të gjitha zhvillimet.