Nuk do të lejohet hyrja në dasma, qendra tregtare e klube nate pa dozën e parë të vaksinës
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe përfaqësuesi i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Driton Hoti kanë folur sot për masat e reja anti Covid, ndër të cilat përfshihet detyrimi për të bërë vaksinën. Sipas tyre, është e vetmja mënyrë që qytetarët të marrin pjesë në aktivitete shoqërore, në qendra tregtare, klube të natës dhe ahengje familjare.
“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftimin e OHT-së. Ndër të tjera, edhe stafi i këtyre sektoreve duhet të vaksinohet me të paktën dozën e parë të vaksinës deri më 12 gusht.
“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektoreve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit”, thuhet në njoftim. Ndërsa për zgjatjen e orarit për klubet e natës, është vendosur që të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate.
“Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”, bën të ditur njoftimi. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht.