Në prag të vitit të ri shkollor, Ardita Sinani viziton shkollën “9 Maji” në Leran
Në prag të vitit të ri shkollor Kryetarja e komunes se Presheves Ardita Sinani vizitoi shkollën fillore “9 Maji” në Leran. Sinani u shpreh që do të vazhdojmë të kontribuojmë për edukimin dhe arsimin vendor.
“Sot, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2021/2022, vizitova Shkollën Fillore “9 Maji” në Leran.
Së bashku me drejtorin e shkollës, z.Enis Sejdiu, uruam mësimdhënësit dhe nxënësit, për një vit edhe më cilësor të mësimdhënies dhe mësim-marrjes, gjithnjë në mbrojtje nga COVID-19, nëpërmjet vaksinimit.
Shkolla është jo vetëm arsimim dhe edukim. Është edhe socializim. Aty ndahen, mësohen dhe përbrendësohen edhe përvojat shoqërore e edukimi vleror. Aty formohemi edhe individualisht për të mirën e përgjithshme.
Si qeverisje lokale, në përputhje me kompetencat dhe buxhetin tonë, do të vazhdojmë të kontribuojmë për edukimin dhe arsimin vendor. Në njërën anë nëpërmjet ngritjes së standardeve infrastrukturore, për më shumë biblioteka, kënde leximi, pajisje teknologjike, laboratorë, hapësira rekreative e salla të edukatës fizike; e në anën tjetër, nëpërmjet ndihmës sonë në programet profesionale të trajnimit të mësimdhënësve dhe të projekteve edukative.
Urime gjithë nxënësve, prindërve dhe punonjësve të arsimit. Veçanërisht fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.” ka shkruar Ardita Sinani.