Finalizohet “Open Ballkan”/ Marrëveshja Rama-Vuçiç-Zaev bëhet zyrtare
Finalizohet me një dokument të nënshkruar nisma “Open Balkan”, e kritikuar nga opozita shqiptare dhe politika e Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim, që është publikuar e detajuar në Fletoren Zyrtare. Memorandumi parashikon forcimin e marrëdhënieve mes 3 shteteve, veçanërisht në fushën e importeve, eksporteve dhe lëvizjes së mallrave, me qëllim eliminimin e pengesave në tregtinë e ndërsjellë.
Sipas kësaj marrëveshjeje, 3 shtetet do të reduktojnë kontrollet, formalitetet dhe numrin e dokumenteve të kërkuara, duke nxitur reduktim të kostove dhe shpejtësi në procedurën e zhdoganimit. “Autoritetet doganore të Palëve bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurojnë kushtet për të thjeshtuar procedurën e tranzitit ndërmjet tyre, në masën më të gjerë të mundshme”, thuhet në marrëveshje, që nxit rritjen e qarkullimit të mallrave ushqimore dhe industriale.
Memorandumi do të mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar, ndërsa që në paragrafin e parë theksohet se 3 nismëtarët, do të mbajnë të hapur ftestën për homologët e tyre të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës, që të bëhen pjesë të Open Balkan, për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve të rajonit.
Objektivat e Memorandumit: a) rritja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet palëve. b) thjeshtimi i procedurave në lidhje me importet, eksportet dhe lëvizjen e mallrave. c) shkëmbimi i të dhënave ndërmjet autoriteteve të doganave dhe autoriteteve të tjera. d) promovimi, nëpërmjet zgjerimit të tregtisë së ndërsjellë, i zhvillimit harmoni të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet palëve. e) eliminimi gradualisht i pengesave në tregtinë e mallrave.