Me pasaportën e Kosovës mund të udhëtoni në 6 vende pa viza
Shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në këto vende: Shqipëri, Turqi, Maqedoni, Mali të Zi, Serbi dhe Ishujt Maldive.
Çështje e demarkacionit vazhdon, derisa Kosova vazhdon të mbetet e izoluar. Nga 195 shtete në botë kosovarët pa viza mund të lëvizin vetëm në gjashtë prej tyre.
Sipas informacioneve zyrtare në faqen e internetit të MPJ-së, shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në këto vende: Shqipëri, Turqi, Maqedoni, Mali të Zi, Serbi dhe Ishujt Maldive. Por, situata do të ndryshonte nëse Kosova do ta fitonte liberalizimin e vizave, raporton televizioni publik i Kosovës.
Listës prej gjashtë shteteve në të cilat aktualisht mund të udhëtohet lirshëm me dokumente të Kosovës, do t’i shtoheshin edhe 26 të tjera të zonës Schengen, me përjashtim të Spanjës, e cila nuk e njeh as pavarësinë dhe as dokumentet e Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Liberalizimi do të sillte lëvizjen e lirë në këto shtete: Austri, Belgjikë, Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lihtenshtajn, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegji, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Suedi dhe Zvicër.
Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk ka regjim të lirë të vizave. Liberalizmin e tyre, Serbia, Maqedonia e Mali i Zi e kanë fituar në vitin 2009, kurse Shqipëria e Bosnje e Hercegovina në vitin 2010.