GJITHÇKA MBI BARNAT PËR KORONËN: Dy ilaçe jetëshpëtuese do të mbërrijnë së shpejti në Serbi
Nuk ka dyshim se vaksinat janë arma më e fortë në luftën kundër koronës, por një ndihmë e rëndësishme kundër kësaj murtaje janë ilaçet novatore. Lajmi i mirë është se së shpejti në Serbi do të mbërrijnë dy ilaçe shpëtimtare, që besohet se do të jetë një pikë kthese në trajtimin e COVID-19.
Gjegjësisht, 50 mijë dozat e para të barit “molnupiravir” nga kompania farmaceutike “Merk” duhet të mbërrijnë në vendin tonë gjatë këtij muaji, ndërsa ilaçi i ri nga kompania “Pfizer” – “paxlovid” pritet në janar ose shkurt. Kështu ka bërë të ditur së fundmi drejtoresha e FSHZH-së, Sanja Radojeviq Shkodriq.
– Mekanizmi i veprimit nuk është plotësisht identik, por ato janë të destinuara për pacientët jo të shtruar në spital të cilët janë mbi 18 vjeç, pra për ata që ende po trajtohen në shtëpi. Këto barna jepen në pesë ditët e para të pozitivitetit dhe janë të destinuara kryesisht për fazën e lehtë, ndoshta të moderuar të sëmundjes, ndërsa për format e rënda është vonë për këto barna – theksoi Radojeviq Shkodriq.
Ajo ka deklaruar se “molnupiravir” është regjistruar, por se ende nuk është në përdorim dhe se SHBA-ja dhe Serbia do të jenë vendet e para që do ta marrin atë. Kur është fjala për “Paxlovid”, Serbia ka nënshkruar marrëveshje me “Pfizer” dhe përveç SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, është e vetmja që do ta marrë këtë ilaç në këtë moment.
Për çfarë lloj ilaçesh po flasim?
Ilaçi “molnupiravir” ka një qëllim të dyfishtë – të zvogëlojë rrezikun e infeksionit për simptoma më serioze, ose të parandalojë njerëzit që kanë qenë në kontakt të ngushtë me të infektuarit. Sipas hulumtimit të parë, kjo pilulë uli rrezikun e shtrimit në spital dhe vdekjes për 50 për qind, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se kjo përqindje është 30 për qind.
Nga ana tjetër, “paxlovid” redukton nevojën për trajtim spitalor ose vdekje deri në 89 për qind te të rriturit që përballen me rrezikun e zhvillimit të një forme të rëndë të sëmundjes, tregoi një studim klinik. Ilaçi funksionon duke bllokuar enzimën që është e nevojshme për shumëfishimin e virusit korona dhe në këtë mënyrë ndikon drejtpërdrejt në numrin e vdekjeve, por edhe në shtrimin në spital të pacientëve me Covid.
Lëvizje e mirë
Shpresa të mëdha janë vendosur te barnat e reja që duhet të mbërrijnë në Serbi, dhe drejtori i Shoqatës së Prodhuesve të Medikamenteve Inovative “Inovia”, Dr. Bojan Trkulja, thekson se këto janë barnat e para të vërteta antivirale të zhvilluara kundër kovidit.
– Kanë disa përparësi. Një nga avantazhet është se ato janë shumë specifike për kovidin, dhe tjetra është se kjo është hera e parë që përdoren medikamente orale. Deri tani kemi pasur disa antitrupa monoklonale që duhen marrë në formë infuzioni intravenoz, këtu për herë të parë kemi mundësinë që jo vetëm të jemi rehat me pacientin, por mund ta mbajmë atë larg sistemit shëndetësor .
Si epidemiologu ashtu edhe anëtari i Shtabit të Krizave prof. Dr. Branislav Tiodoroviq beson se prokurimi i barnave inovative është një veprim i mirë nga shteti sepse do të kemi barnat më të fundit që ndalojnë virusin.
– Është shumë mirë që do t’i marrim këto barna, edhe ilaçin e Fejserit, edhe atë të “Merkovit”. Sa i përket veprimit, ato aplikohen gjithmonë në pesë ditët e para. Atëherë efekti i tyre është më i fortë, sepse atëherë parandalohet përhapja e virusit, si dhe nevoja për shtrimin në spital. Këto janë virostatikë, kështu që nuk e shkatërrojnë virusin, por e ndalojnë atë, që do të thotë se virusi nuk do të vazhdonte të shumohej. E dini, ende nuk ka asnjë ilaç në botë që do të shkatërronte virusin, si për shembull, ne kemi antibiotikë që shkatërrojnë bakteret. Pra këto barna ndalojnë virusin, ndalojnë riprodhimin dhe pakësojnë mundësinë e përhapjes së tij dhe praktikisht ndalojnë përhapjen në organizëm dhe ky është parimi bazë i këtyre barnave. Ato janë të testuara në fjalë, edhe pse janë inovative, në radhë të parë janë të testuara dhe të verifikuara – thotë prof. Tiodoroviq.
Arma kryesore
Megjithatë, epidemiologu Tiodoroviq thekson se vaksinimi është mënyra e duhur dhe e pazëvendësueshme në luftën kundër koronës.
– Ndërkohë që virusi funksionon, ilaçet ndërpriten, kuadri klinik zgjidhet, por kjo nuk është zgjidhja përfundimtare. Zgjidhja përfundimtare është gjithmonë një vaksinë. Vaksina është ajo që do të merret dhe që do të ofrojë një efekt më të gjatë mbrojtës që njerëzit të jenë të sigurt – thotë prof. Dr.Tiodoroviq.
Trkulja beson se është mirë që mjekësia i përgjigjet pandemisë në mënyrën e duhur – nga njëra anë ka barna të reja dhe vaksina të reja, dhe nga ana tjetër falë përvojës ne e dimë se çfarë bëjnë terapitë dhe çfarë mund t’i ndihmojë më mirë pacientët kur ata infektohen.
– Ajo që sigurisht është një nga hapat që duhet të merret në konsideratë është vaksinimi i detyrueshëm, sepse vaksinimi nuk mbron vetëm veten dhe mjedisin tuaj të afërt, por praktikisht mbron të gjithë botën, sepse virusi mund të shumohet dhe të ndryshojë vetëm në trup. Besoj se mjekësia do ta arrijë këtë sëmundje dhe se tashmë po e kap fillimisht përmes vaksinave, e tani përmes terapive gjithnjë e më të mira – përfundoi Trkulja.
Barnat që nevoiten:
REMDESIVIR
Gjatë vitit të kaluar, në publikun botëror janë përmendur më shpesh tre barna, të cilat ekspertët i konsideronin si ndihmë kundër COVID-19. Njëri prej tyre është “remdesivir”, i destinuar kryesisht për trajtimin e hepatitit C dhe virusit respirator sincicial. I ka kaluar të gjitha procedurat në Serbi dhe shpërndarja ka filluar në tetor të vitit të kaluar. Testet klinike kanë treguar se ky medikament shkurton simptomat e infeksionit Covid nga 15 në 11 ditë. Megjithatë, nuk ka asnjë provë që remdesivir mund të shpëtojë jetë.
DEKSAMETAZONI
“Dexamethasone” është ilaçi i parë që është vërtetuar se shpëton jetën e njerëzve që vuajnë nga sëmundja korona. Është një ilaç që parandalon inflamacionin dhe zvogëlon vdekshmërinë e njerëzve që janë të lidhur me një aparat respirator dhe kanë qenë të sëmurë për më shumë se shtatë ditë. Rezultatet e para të hulumtimit treguan se zvogëlon rrezikun e vdekjes në një të tretën e pacientëve me respirator dhe një të pestën e atyre me oksigjen. Prandaj, “dexamethasone” nuk prek njerëzit me simptoma më të lehta, pasi shtypja e sistemit imunitar në atë gjendje nuk do të ishte e dobishme.
FAVIPIRAVIR
“Favipiravir” është një nga barnat antivirale që janë konvertuar në luftën kundër koronës. Ashtu si remdesivir, ky medikament përdoret në fazat e hershme të infeksionit. Në Serbi është aplikuar që nga prilli i vitit të kaluar dhe është paraparë me protokollin kombëtar.
– “Favipiravir” nuk është i destinuar dhe i regjistruar ekskluzivisht vetëm për Covid, si “molnupiravir”. Në fillim, efikasiteti i tij u vu re në kovid, jo aq i lartë sa në “molnupiravir”. Avantazhi i “favipiravirit” është se mund të përdoret në të gjitha fazat e sëmundjes, por përdoret edhe në shtatë ditët e para të pozitivitetit – shpjegoi Radojevic Skodriq.
BAMLANIVIMAB
“Bamlanivimab” bazohet në antitrupat Covid, kështu që trupi mbrohet në mënyrë pasive kundër virusit, ndryshe nga vaksinat. Përdoret në një fazë të hershme për të shmangur një ecuri më të rëndë të sëmundjes, veçanërisht në ata mbi 65 vjeç që kanë sëmundje shoqëruese. Ky ilaç ka ardhur në Serbi në fund të muajit mars. Terapia jepet një herë, në formë infuzioni dhe efektet e ilaçit zgjasin vetëm disa muaj, kështu që nuk ka mbrojtje të përhershme.