Jeton Ismaili: Një parti shqiptare me ndikim të madh në gjyqësorin dhe prokurorinë serbe
Bujanoc, 11 shkurt 2022. Gazetari nga Bujanoci dhe redaktori i portalit FOLonline, Jeton Ismaili, pohon se ka ndikim të fortë politik në autoritetet gjyqësore dhe policore në Bujanoc dhe në jug të Serbisë.
Ismaili thotë se këto pretendime janë vërtetuar me rastin e sulmit ndaj familjes së tij dhe vendimin e Prokurorisë për refuzimin e kallëzimit penal ndaj të dyshuarve, i cili ishte i ndikuar nga një parti politike shqiptare.
Pas reagimeve të shumta pas letrës së Ismailit drejtuar Aleksandar Vuçiqit, Prokuroria Themelore Publike në Vranjë e anuloi vendimin për refuzimin e kallëzimit penal ndaj sulmuesit ndaj familjes së tij, duke marrë një vendim të ri për hetimin e të dyshuarve.
Përfaqësuesit e një partie politike kanë lobuar përmes kanaleve të tyre në Prokurori për të refuzuar këtë kallëzim penal – thekson Ismaili.
I pyetur se për cilën parti bëhet fjalë, Ismaili është përgjigjur se është parti politike shqiptare.
“Këta janë të njëjtët njerëz që flasin keq e më keq për gjyqësorin në Serbi dhe vetë shtetin, dhe nga ana tjetër, ata punojnë ngushtë me këto struktura. Këta janë të ashtuquajturit patriotë të mëdhenj shqiptarë” shpjegon Ismaili.
Sipas tij, këto struktura po tentojnë ta pengojnë në kryerjen e profesionit dhe shfrytëzojnë çdo mundësi për ta bërë këtë.
“Në të gjitha këto janë të përfshira disa struktura brenda policisë” thotë Ismaili.
Ai tregon se pak ditë më parë është tentuar që të inskenohet një çështje për të njollosur personalitetin e tij.
“Pas letrës sime drejtuar presidentit Vuçiq dhe organeve të tjera shtetërore dhe ndërkombëtare për vendimin skandaloz të prokurorisë, dikush ka dashur të inskenojë një çështje për të njollosur personalitetin tim. Skenari ishte: të tregoja se gjoja kam sulmuar dikë me makinë. Për realizimin e këtij plani dhe bindjen e dëshmitarëve të rremë janë “konsultuar dhe vënë në lojë” grupet brenda policisë, sigurisht me mbështetjen e politikës. Në momentin e fundit një tentativë e tillë u pengua nga reagimi i strukturave të sigurisë” thekson Ismaili.
Ai shprehet se kanë qenë burimet e inteligjencës që ia kanë përcjellë këtë informacion, i cili ka rezultuar plotësisht i saktë.
“Kur të mbërrijnë informacione shtesë, të cilat me siguri do të përpunohen, do t’ia përcjell opinionit dhe opinioni do të tronditet nga lidhjet mes kriminelëve, grupeve brenda policisë, prokurorisë, gjyqësorit” thotë Ismaili.