Lajme

“Njerëzit kanë nevojë për ndihmë”, në SHBA familjet nuk mund të paguajnë dot faturat e larta të energjisë

Qytetarët amerikanë po përballen me çmime stratosferike të energjisë elektrike, teksa në banesat e tyre po mbërrijnë fatura nga më të lartat, që cilësohen në nivele historike.

Çmimet e energjisë elektrike u rritën me 10.7 për qind në janar krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Zona metropolitane e Nju Jorkut, duke përfshirë qytetet e New Jersey-t të Newark dhe Jersey City, regjistroi në Janar “rritje më të madhe të çmimeve të energjisë elektrike” në mbi 50 vjet, tha Martin Kohli, kryeekonomisti rajonal për Byronë e Statistikave të Punës.

Çmimet e energjisë për përdorim shtëpiak në atë rajon u rritën me 17.2 përqind nga dhjetori në janar, me një rritje prej 28.2 përqind në çmimet e përgjithshme të energjisë elektrike. Rritja, tha byroja në një deklaratë, ishte “rritja më e madhe në histori”.

Inflacioni u rrit më shpejt se sa pritej në janar, në 7.5 përqind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke tejkaluar nivelin më të lartë 40-vjeçar të vendosur në dhjetor, sipas publikimit të fundit të Indeksit mujor të Çmimeve të Konsumit nga Byroja e Statistikave të Punës javën e kaluar.

“Jemi në një kohë të vështirë për konsumatorët. Çmimet po rriten për shumë gjëra”, thonë analistët.

“Numri i njerëzve që kërkojnë ndihmë për të paguar faturat e tyre është rritur me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike”, tha Tanya Jones, drejtoreshë e asistencës për energjinë dhe zhvillimit të komunitetit në HeartShare Human Services.

Amy Sananman, drejtuese e lartë e “United Way of New York City”, tha se rritje të tilla në faturat e energjisë do të kenë “një efekt zinxhir te njujorkezët të cilët do të detyrohen të shtrëngojnë buxhetet diku tjetër, dhe kjo mund të nënkuptojë ushqim, strehim, kujdesin shëndetësor dhe arsimin.”

Javën e kaluar, guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul i bëri thirrje kompanisë së shërbimeve “Con Edison” të rishikonte praktikat e saj të faturimit dhe komunikimet me banorët e Nju Jorkut pas rritjeve të fundit të çmimeve.

“Con Edison” tha në një deklaratë se shtrenjtimi në faturat e klientëve “janë kryesisht për shkak të kostos së furnizimit të energjisë”.

Burimi:https://www.nbcnews.com/news/us-news/-lot-people-need-help-soaring-electric-bills-leave-struggling-pay-rcna16347

Related Articles

Back to top button