Lajme

Ragmi Mustafa: Sot kujtojmë presidentin Thaçi, komandantin Adem Jashari

17 shkurti i vitit 2008, është ngjarja më kulmore historike për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ëndrrën bashkërisht e bëmë realitet. Për të mbërritur deri te festa e madhe e pavarësisë së Kosovës, të gjithë shqiptarët së bashku punuan dhe sakrifikuan shumë.

Sot kujtojmë presidentin Thaçi, komandantin Adem Jashari, gjithë komandantët, ushtarët, luftëtarët dhe heronjtë e Lirisë së Kosovës. Vizionin e përbashkët universal për liri dhe demokraci të Kosovës, e realizuam bashkërisht, me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetarë.

Republika e Kosovës është një tregim i suksesshëm me të cilin krenohemi të gjithë por edhe miqtë tanë. Në vitin e 14 të pavarësisë Kosova ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në rrafshin politik, diplomatik, dhe atë të zhvillimit ekonomik.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës në ditën e shënimit të pavarësisë së Kosovës, ne kujtojmë të kaluarën e ndritur të Republikës së Kosovës. Kujtojmë përpjekjet një shekullore të popullit shqiptarë për liri dhe pavarësi.

Në ditën si kjo, nderojmë dëshmorët tanë, ata që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e vendit tonë. Po ashtu, shprehim nderimin dhe respektin e lartë për heronjtë e gjallë të këtij vendi. Të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim kontribuan për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Përderisa dje sfidë kryesore ishte mbijetesa, çlirimi dhe pavarësia, sfidat e së ardhmes kombëtare janë bashkimi në një trung të përbashkët në Shqipërinë Etnike, për atë që luftoi Skënderbeu, për atë deshi Ismail Qemali, dhe për atë që gjithë dëshmorët me në krye legjendarin Adem Jashari dhanë jetën e tyre.

Qytetarët e Komunës së Preshevës, por edhe të Luginës mbesin me shpresë se idealet e patriotëve tanë të bëhen sa më shpejt realitet dhe të gjithë të kemi një festë kombëtare.
RM

Related Articles

Back to top button