Lajme

Arrestime për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Bujanoc, arrestohen tre punonjës të komunës

Pjesëtarët e MPB-së, Departamenti për Luftën kundër Korrupsionit të PKSH-së, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Informative, me urdhër të Departamentit të Posaçëm për Luftimin e Korrupsionit të Prokurorisë së Lartë Publike në Nish, arrestuan A. ZH. (1984), J. P. (1957) dhe R. A. (1982), punëtorë të Komunës së Bujanocit, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

A. ZH. akuzohet se gjatë korrikut dhe gushtit 2020 ka lëshuar vendime për leje ndërtimi për tre objekte, ndonëse këto ishin objekte të ndërtuara që nuk mund të legalizoheshin, sepse ishin ndërtuar pas vitit 2015, d.m.th. pas hyrjes në fuqi të Ligjit për legalizimin e ndërtesave.

Dyshohet se në atë mënyrë u ka mundësuar investitorëve lidhjen e objekteve të ndërtuara pa leje në rrjetin elektrik, ujësjellës-kanalizime, regjistrimin në Kadastrën e patundshmërive dhe shitjen e hapësirës banesore dhe afariste.

Dyshohet se J. P. ka dorëzuar një njoftim në Komunën e Bujanocit në maj të vitit 2021, ku thuhet se nga inspektimi është konstatuar se regjistrimi i themeleve të ndërtuara i përgjigjet gjendjes në terren, edhe pse objekti është ndërtuar në vitin 2020.

R.A ngarkohet se në nëntor të vitit 2021 ka dërguar një njoftim në Komunën e Bujanocit, ku thuhet se inspektimi ndërtimor ka shkuar në vend dhe ka konstatuar se pamjet e themelimit i përgjigjen gjendjes në terren, edhe pse objekti banesor dhe afarist është ndërtuar në 2019.

Gjithashtu, në mënyrën e cekur JP dhe RA kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Planifikim dhe Ndërtim, gjegjësisht nuk kanë paraqitur kallëzim penal ndaj investitorëve të objekteve në fjalë, edhe pse në procesverbal kanë deklaruar se objektet janë ndërtuar pa leje ndërtimi.

Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe me kallëzim penal do të dërgohen në prokurorinë kompetente.

Related Articles

Back to top button