Kosova e Serbia mbajtën takim edhe sot për targat
Në Bruksel është zhvilluar takimi i gjashtë i grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve.
Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar nga i Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ekspertët e BE-së ndihmuan të dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike
“Ndërkohë, delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për takimin e gjasht të Grupit Punues për Targat. Ekspertët e BE-së ndihmuan të dy delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike. Tani është koha për t’u angazhuar në gjetjen e interesave të përbashkëta”, ka shkruar Lajçak.
Në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, nga 4 tetori i vitit 2021 ka nisur së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse (stickersave), në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi.
Kjo masë është paraparë të zgjasë gjashtë muaj deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje, për çfarë dy palët kanë formuar grupet punuese.
Grupet punuese për targat janë ngritur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masës së reciprocitetit për targat.
Një zgjidhje është paralajmëruar të ndodhë në tremujorin e parë të këtij viti.
Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë që lidhin Kosovën me Serbinë, për trembëdhjetë ditë qëndruan të bllokuara pasi Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për targat e veturave nga Serbia.
Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan më 4 tetor, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.