Nuk përkrahu pushtimin rus, serbët në protesta: Vuçiç shqiptar, tradhëtoi Serbinë
Qytetarë të shumtë serbë kanë dalë për të protestuar në mbështetje të Rusisë, pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk e përkrahi pushtimin rus ndaj Ukrainës. Protestuesit janë mbledhur në afërsi të Presidencës së Serbisë, duke e mbyllur rrugën për qarkullim. Të mbledhurit po këndojnë mesazhe mbështetjeje për Rusinë, e cila filloi pushtimin e Ukrainës të enjten e kaluar, shkruan media kroate.
Përfaqësuesit e organizatave të ekstremit të djathtë – Damnjan Knezevic nga Patrulla Popullore, Mladen Obradovic nga Obraz – iu drejtuan pjesëmarrësve të protestës nga skena duke u thënë se nëse Serbia vendos sanksione ndaj Rusisë pas zgjedhjeve, dy herë më shumë njerëz se sonte do të dalin në rrugë.
Knezevic u dërgoi një mesazh CNN, BBC dhe RTS, “se rusofobia në Serbi është një gabim statistikor”. Obradovic tha se “Rusia po çliron të gjithë botën nga kërcënimet e NATO-s” dhe se sot “Putini ka treguar se kush është burrështetasi më i fortë dhe më i guximshëm në botë”.
Tubimi filloi me himnet e Serbisë dhe Rusisë, qytetarët po mbajnë flamuj rus dhe serb dhe po brohorasin “Rusi, Rusi”, “Serbët dhe rusët janë vëllezër përgjithmonë”, “Tradhëti, tradhëti” dhe “Vuçiç Shqiptar, e tradhtove Serbinë”. Protestuesit më pas shkuan për shëtitje drejt ambasadës ruse.