Vulin kërcënon me luftë Kosovën
Ka mjaftuar një reagim i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, që edhe zyrtarë të tjerë në Beograd si në kor, të sulmojnë kryeministrin Kurti e madje të kërcënojnë edhe me konflikt të hapur me Kosovën.
Një hap më tej ka shkuar ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i cili ka thënë se shkarkimi i gjyqtares serbe në Mitrovicë, është hapi i parë drejt luftës mes dy shteteve.
“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilin shqiptarët (Vulin ka përdorur termin fyes “šiptari) po e përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk mbledh një takim në Bruksel dhe ndalon çfarëdo aksioni të dhunës kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar nga urrejtja. Çfarëdo që të sjellin ditët në vijim, është e sigurt se Serbia ka bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe se e gjithë përgjegjësia për stabilitetin e rajonit tani varet nga Bashkimi Evropian, KFOR-i dhe Kurti”, tha Vulin.