Ardita Sinani kërkon nga Sami Salihu që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme
Të nderuar qytetarë,
Siç e dini, kryetari i Kuvendit të Preshevës, z.Sami Salihu, në bazë të kërkesës së këshilltarëve të opozitës, ka ftuar për nesër, ditën e hënë, me fillim në ora 10:00, seancë të jashtëzakonshme, me pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozimit për shkarkim të Kryetares së Komunës së Preshevës.
Duke qenë se si përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë, në ora 8.00, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time, njoftoj opinionin publik se së bashku me z.Munir Rexhepi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal z.Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë.
Besoj në mirëkuptimin e kryetarit të Kuvendit, z.Sami Salihu, por edhe në përkrahjen e Këshilltarëve të tjerë Komunalë, për ta mundësuar praninë time në seancën ku është inicuar shqyrtim-propozimi për shkarkimin tim.