E gjithë java do të jetë me shi
Periudha e pranverës ka brenda edhe ditët me diell por edhe ato me vranësira dhe shi. Megjithatë duket se këto të fundit kanë mbizotëruar të paktën në gjysmën e parë të stinës. Edhe java që na pret parashikohet kryesisht e paqëndrueushme, por nuk do të mungojnë edhe orët apo ditët me diell.
Sipas Institutit meteorologjik, dita e hënë do të sjellë ulje temperaturash, si dhe rikthimin e reshjeve të shiut, ndërsa gjatë ditës së martë pritet të ketë një përmirësim të motit, por reshjet e shiu do të na shoqërojnë pothuajse gjatë gjithë javës në vazhdim.
Parashikimi i Motit për javën e ardhshme:
Java nis ditën e Hënë me alternime kthjellimesh e vranësirash deri të dendura. Reshje shiu me intensitet të ulët kryesisht në relievet kodrinore-malore dhe zonën e jugperëndimit.
Për ditën e Martë moti parashikohet kryesisht me diell si dhe alternime vranësirash hera-herës deri të dendura në mesditë. Në pjesën e parë të ditës reshje shiu të dobta e shtrëngata lokale në zonën e qendrës dhe jug.
Ditën e Mërkurë parashikohet mot i vranët e reshje shiu me intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave. Në zonën e veriut në pjesën e parë të ditës reshjet me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive.
Dita e Enjte parashikohet me mot kryesisht të kthjellët e vranësira kalimtare. Java mbyllet me ditën e Premte e cila nis fillimisht me mot të kthjellët e shtim vranësirash prej orëve të mesditës. Në momentin e shtimit të vranësirave reshje shiu të dobëta e shtrëngata afatshkurtra në një pjesë të madhe të vendit.