FSK merr nën kontroll Luginën e Preshevës

Sot në orët e hershme të mëngjesit, njësitë speciale të FSK, bënë një depërtim të rrufeshëm të kufirit Kosovë- Serbi dhe pas luftimeve të rrepta sporadike me Policinë dhe Xhandarmërisë serbe u futën në Preshevë dhe Bujanoc. Ushtria serbe ishte zënë në befasi dhe tashmë ka hapur frontin për të rikthyer këto territore. Vetë komandanti i FSK Bashkim Jashari , dhe ministri i mbrojtjes Armend Mehaj ndodhen në vijat e para të frontit. Në fshatin e tij të origjinës ndodhet edhe Zotnia i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu i cili u deklaroi mediave se planin e kishte hartuar vetë komandantja supreme e Ushtrisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Sipas disa të moshuarve çlirimi i rrufeshëm i Preshevës dhe Bujanocit, i ka përngjarë atij të 78 viteve më parë kur komandanti i forcave të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Xhemë Gostivari çliroi Shkupin, Kumanovën, Preshevën e Bujanocin në Shtator të vitit 1944. Madje në sheshet kryesore të Preshevës dhe Bujanocit u vendosën po ata flamuj të kuq me shqiponjë të zezë të 78 viteve më parë që i kishte vendosur Xhemë Gostivari me urdhër të të madhit Xhafer Deva. Për mediet huaja dukej paradoksale që ushtarët që i kishin vendosur flamujt kuq e zi në sheshe, në krahror mbanin flamurin verdh e kaltër. Por vendosja e flamujve kuq e zi edhe pse befasoi diplomatët dhe mediat botërore nuk e habiti aspak Presidentin Vuçiq i cili falënderoi kryeministrin Edi Rama për deklaratën e tij që e dënonte këtë sulm tinzar të Albin Kurtit. Shqipëria ishte i pari dhe i vetmi vend i NATOs që e dënoi ketë inkursion të ushtrisë së Kosovës ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, derisa zëdhënësi NATOs deklaroi se KFORi është përgjegjës vetëm për atë se çfarë ndodhë brenda kufijve të Kosovës, dhe jo edhe se çfarë ndodhë brenda territorit të Serbisë. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në të gjitha takimet në Bruksel e kishte lutur Presidentin Vuçiq që të nënshkruanin marrëveshje për mos sulmim reciprok, por Presidenti serb ishte tallur me këtë kërkesë, dhe tani le t’i vuaj pasojat. Derisa luftimet po vazhdojnë me intensitet të madh në Prishtinë kanë nisur protestat antiluftë. Kryekademiku Mehmet Kraja e zuri për gabim të madh që në Preshevë e Bujanoc janë vendosur po të njëjtit flamuj që kishte ngritur fashisti dhe nazisti, siç e quajti ai, Xhemë Gostivarin. Kurse Akademik Rexhep Qosja ia zuri për të madhe Albin Kurtit që këtë veprim e ka bërë pa konsultim paraprak me vëllain e madh, kryeministrin Edi Rama. Sipas Rexhep Qosjes derdhja e gjakut, të bimëve e bijave të nënave, siç i quajti ai ushtarët e FSKsë, është krejt e panevojshme kur Edi Rama ka planin e gatshëm për këmbim të Luginës me Veriun e Kosovës. Edhe ashtu Veriu i Kosovës nuk e di se çfarë na duhet deklaroi Qosja. Ndaj deklaratës së Qosjes reagoi Radio Televizioni i Mitrovicës i cili e thotë gjithmonë të vërtetetën pos me 1 Prill, po edhe me një Prill nuk largohet shumë nga e vërteta.

Shkrim i huazuar nga Nexhmedin Spahiu.

Check Also
Close
Back to top button