KRZ hedh poshtë ankesat për përsëritjen e zgjedhjeve në Bujanoc, PVD e quan vendimin politik
Shtabi Zgjedhor i PVD-së e ka quajtuar politik vendimin e mbrëmshëm të Komisionit Republikan Zgjedhor i cili hodhi poshtë ankesat për përsëritjen e zgjedhjeve në dy vendvotime në Bujanoc.
Në një kumtesë për opinion, ky shtab ka paraqitur disa elemente të cilat i konsideron si dëshmi të forta duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e deputetëve por që nuk e bindën KRZ-në.
Në fund të kumtesës thuhet se Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës do të vazhdojë betejën për drejtësi edhe në instancën e fundit, në Gjykatën Administrative,
Njoftim për Opinion
Komisioni Republikan Zgjedhor, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë, ka refuzuar ankesat e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, për përsëritjen e zgjedhjeve në dy vendvotime në komunën e Bujanocit.
Edhe pse bëhet fjalë për shkelje të rënda ligjore, KRZ zgjodhi vendimin politik para vendimit profesional.
Nuk ka mjaftuar as procesverbali i policisë për mbylljen e vendvotimit numër 13 dy orë para skadimit të kohës për votim e as dëshmitë e deklaratat e votuesëve që iu ka pamundësuar realizimi i të drejtës së votës.
Për KRZ, madje, nuk ka vlejtur as Neni 116, pargrafi 1, pika 3, Neni 92, pika 4., Neni 115, paragrafi 1, pika 1 të Ligjit për zgjedhjet për deputet popullor.
Për KRZ, në mbledhjen e mbrëmshme ka vlejtur vetëm një gjë: numrat dhe mbivotimi.
Jo për rrespektimin e Ligjit në fuqi por për realizimin e një nismë tanimë të njohur politike.
Për Parlamentin pa shqiptarë.
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës do të vazhdojë betejën për drejtësi edhe në instancën e fundit, në Gjykatën Administrative, si stacionin e fundit për realizimin e kësaj të drejte të mohuar.
Opinioni do të njoftohet me kohë për të gjitha ndodhitë rreth rrjedhës së këtij procesi.
Shtabi zgjedhor i PVD