Lajme

Sonte “Nata e Kadrit” një natë sa një mijë muaj

Sonte është nata e Kadrit dhe sipas fesë islame, agjërimi në këtë ditë konsiderohet i vlefshëm sa një mijë muaj. Për këtë arsye numri i personave që agjërojnë sot është shumë më i madh se ata që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit.

Po përse nata e Kadrit është e vlefshme sa jeta e një njeriu, pra një mijë muaj?

Nata e Kadrit shënon zbritjen e Kuranit në tokë dhe fillimin e shkrimit të librit të shenjtë. Sipas klerikëve agjërimi dhe lutjet ndaj Zotit në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe jetën e njeriut gjatë një viti. Mendohet të jenë me mijëra, jo vetëm besimtarë myslimanë, ata që agjërojnë ditën e Kadrit.

Me lejen e Zotit të tyre në natën e Kadrit thuhet se zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.

Myslimanët besojnë që Kurani u zbrit në natën e Kadrit tek Muhammedi prej Allahut. Zbritja filloi në shpellën Hira në Mekë. Sureja që u zbrit e para ishte sureja Alak (arabisht العلق).

Në Kuran nuk përmendet ndonjë datë specifike, por thuhet se Nata e Kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Kërkojeni atë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. (hadith). Një prej datave tek është 21, 23, 25, 27, 29. Në shumë prej traditave thuhet që është nata para Ramazanit të 27-të.

Shenjat e natës së Kadrit

Kjo natë kaq e madhe, ka shenjat e saj, të cilat nuk vihen re, vetëm pasi të ketë lindur dita e re. Ndër këto shenja është se dielli i ditës që pason natën e Kadrit, lind pa rreze, ose është i kuq dhe ndriçim të zbehtë.

Një shenjë tjetër që thuhet, është dhe shiu i lehtë që mund të bjerë natën e Kadrit, era dhe se ajo natë, është e hapur, as e nxehtë dhe as e ftohtë.

Të gjitha këto shenja, nuk janë të prera dhe nuk arrijnë në gradën e sigurisë së plotë. Ato mund të gjenden ose jo, sipas vendit dhe stinës. Ka vende myslimane ku shiu bie pa pushim, të tjera ku ka vite që nuk bie shi, të tjera që vuajnë nga të ftohtit dhe të tjera që vuajnë nga i nxehti.

Natë për të gjithë apo e specifikuar?

Një çështje tjetër e diskutuar dhe e studiuar nga dijetarët, është nëse nata e Kadrit është specifike për disa njerëz, të cilëve u shfaqet në ëndërr dhe me disa shenja, gjë e cila nuk u ndodh njerëzve të tjerë, apo është e përgjithshme, për të gjithë myslimanët dhe sevapi i saj u jepet të gjithë atyre që e kalojnë këtë natë në adhurim.

Një grup dijetarësh kanë mendimin e parë, se kjo natë është vetëm për disa njerëz, si për ata që e kalojnë natën e Kadrit me adhurim.

Disa myslimanë besojnë se nata e Kadrit është një sasi energjie drite, e cila u shfaqet disa personave të lumtur dhe jo të gjithëve. Prandaj dhe njerëzit e thjeshtë shpesh herë i dëgjon të thonë: “I është shfaqur nata e Kadrit”. Të gjitha këto janë gjëra që nuk bazohen në fakte dhe argumente fetare.

Prandaj, themi që nata e Kadrit është një natë e veçantë për të gjithë ata që e kërkojnë atë dhe synojnë të përfitojnë nga mirësitë e saj. Ajo është natë adhurimi, bindjeje ndaj Zotit, namazi, leximi, përkujtimi, lutjesh, sadakeje, punësh të mira etj.

Ajo që është traditë gjatë natës së Kadrit është gatimi i hallvës, e cila bëhet para se të hyjë dielli i ditës së re dhe ndahet mes njerëzve, si përkujtim ndaj shpirtrave të atyre që nuk jetojnë më.

Related Articles

Back to top button