Sulmohet policia e Kosovës në veri me granata e AK-47
Katër sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në tri ditët e fundit në pjesën veriore të vendit, ku janë përdorur armë e mjete të ndryshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, njoftoi përmes në konference për media se në sulmin e parë kanë hasur në rrugë iriqë metalikë që shërbejnë për dëmtimin e gomave të automjeteve, në atë të dytin zyrtarët janë sulmuar me gurë, në sulmin e tretë kanë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë, ndërsa në të katërtin janë përdorur granata dore dhe AK 47.
Lidhur me rastin detaje dha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se sulmi i parë ose tentim-sulmi ka ndodhur nëpërmjet vendosjes së iriqëve metalikë në rrugë nacionale, me qëllim të pamundësohet puna e Policisë së Kosovës dhe të rrezikohet drejtpërdrejtë jeta e zyrtarë policorë.
Sulmi i dytë tha se ka ndodhur duke e gjuajtur me gurë veturën e policisë, ndërkaq sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë ku në afërsi të punktit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale – janë gjuajtur me armë zjarri.
Sulmi i katërt, siç njoftoi Sveçla, ka ndodhur mëngjesin e sotëm, kur drejtpërdrejtë janë goditur dy vetura që transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare.
“Tashmë po shihet se angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës dhe posaçërisht i Policisë që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë dhe grupe të caktuara që mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia”, tha ai, duke shtuar se këto sulme as nuk do t’i ndalin e as nuk do të frikësojnë.