Të enjten përsëritet votimi në Tërrnoc, do të vendoset fati i Shaip Kamberit
Me aktgjykim të Gjykatës Administrative pas ankesës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve vendosi që votimi për deputetë në vendvotimin numër 6 në Tërrnoc të Madh të përsëritet të enjten më 28 prill.
Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve do të shtypen 1089 fletë votime.
Anëtarët e Komisionit miratuan Vendimin për formën, pamjen, ngjyrën dhe përmbajtjen e fletës së votimit dhe listën e kontrollit për kontrollin e korrektësisë së kutisë së votimit për kryerjen e rivotimit në zgjedhjet për deputetë. Fletët e votimit do të shtypen në letër të bardhë, ndërsa lista kontrolluese për kontrollin e korrektësisë së kutisë do të shtypet në letër me ngjyrë tjetër – njoftoi REC.
Kujtojmë se shqiptarët nga Lugina e Preshevës dolën në votime në dy lista – “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” i udhëhequr nga Shaip Kamberi dhe “Alternativa për Ndryshim – Alternativa Demokratike Shqiptare” i udhëhequr nga kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi.
Pasi Komisioni Republikan i Zgjedhjeve shpalli rezultatet preliminare të zgjedhjeve, sipas të cilave Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës në krye me Shaip Kamberin nuk e ka kaluar regjistrimin, Kamberi ka kërkuar që të përsëriten zgjedhjet parlamentare në Luginën e Preshevës.