Maqedoni: Jo më teste PCR për të zbuluar rastet me virus por vetëm teste të shpejta antigjen
“Duhet të përdoren testet e shpejta antigjen për të zbuluar Covid-19 dhe jo teste PCR, kjo për shkak të mënyrës së komplikuar të pritjes dhe për shkak të kostos”, kështu u dakorduan sot Përfaqësues të Komisionit për Sëmundjeve Infektive.
Nga aty u kërkua përgatitja e një protokolli të duhur për përdorimin e testeve të shpejta të antigjenit nëpër institucionet shëndetësore dhe nëse në ndonjë rast nuk është e mundur të përdoret, do të aplikohet sërish testi PCR.
“Rreth 1000 teste antigjenike janë praktikisht në dispozicion të çdo institucioni shëndetësor publik që mund t’i përdorin në çdo kohë sepse ka stoqe. Qytetarët nuk duhet t’i blejnë testet, por mund t’i përdorin tek institucionet shëndetësore ku janë referuar për diagnostifikim apo procedura shtesë”, tha Zlate Mehmedoviç, zëdhënës i Komisionit për Sëmundje Infektive.
Ai theksoi se situata me koronavirusin në vend është stabile, ka rënie të shifrave javore.
Masat për mbajtjen e maskës në spitale, transport publik dhe shtëpi të të moshuarve mbeten në fuqi dhe për momentin nuk ka nevojë për ndërhyrje dhe ndryshime shtesë, shtuan nga Komisioni për Sëmundje Infektive.