Kosova nuk njeh letërnjoftimin, vendos reciprocitet me Serbinë, duhet të paiseni në kufi me fletë-deklarim që zëvendëson letërnjoftimet
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS dhe ka marrë vendim për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, transmeton Presheva.AL
Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targat “RKS”.
Sipas këtij vendimi, mundësia e regjistrimit do të fillojë me datë 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 shtator 2022.
Qeveria njofton se “vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë”, që nënkupton se është mundësia e fundit që këto vetura të regjistrohen në institucionet përkatëse.
Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal (letërnjoftim) të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.
Çështja e lëvizjes mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë është e rregulluar me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në Bruksel.
Megjithëse në këtë marrëveshje thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”, gjithashtu në këtë marrëveshje thuhet se “secila palë mund të zbatojë një sistem ku letërnjoftimet do shoqërohen nga dokumente me shkrim “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër, të cilët dëshirojnë të kalojnë transit në një shtet të tretë.
Që nga ajo kohë, Serbia ka aplikuar dokumentet me shkrim “hyrje-dalje”, kurse autoritet e Kosovës nuk e kanë aplikuar një gjë të tillë.