Shaip Kamberi: Nuk dorëzohemi, Tërnoci duhet ta vulos fitoren
Pavarësisht përpjekjeve për të parandaluar praninë e shqiptarëve në parlamentin serb, Partia e Veprimit Demokratik (PVD) dhe partnerët e saj të koalicionit do të vazhdojnë luftimet në qendrën e votimit 6 në Tërnoc, ku do të votojnë për herë të katërt të enjten me 23 qershor, thuhet ne kumtesen e PVD-se.
Partia thekson se janë të vetëdijshëm për lodhjen e 1089 votuesve që votojnë në qendrën e votimit në shkollën e fshatit, por i fton ata që të enjten të vijnë në qendrë e votimit për të “treguar forcën politike të shqiptarëve”.
Kryetari i partisë dhe kandidati për deputet i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, thekson rëndësinë e prezencës së shqiptarëve në Kuvend sepse, siç thotë ai, priten vendime të rëndësishme në të gjithë Ballkanin Perëndimor që duhet të çojnë të gjithë rajonin në Integrimin Euro Atlantik.
“Lufta kundër diskriminimit shtetëror të Serbisë, i cili po shtrihet në të gjitha sferat e jetës e që po ngushton hapësirat për një perspektivë më të mirë, duhet të vazhdojë me të gjitha mjetet politike, prandaj, edhe beteja për përfaqësim të dinjitetshëm parlamenar mbetet një ndër objektivat kryesore të veprimit tonë politik” shkruan Kamberi.
Partia që ai drejton thekson se Tërnoci, përkundër presionit nga Beogradi, me votat e tij do ta sigurojë mandatin e përfaqësuesit të Shqipëtarëve në Beograd.
“Përkrahja që kemi marrë nga institucionet e Republikës së Kosovës, pozitë dhe opozitë, nga ato të Republikës së Shqipërisë dhe liderët politik shqiptar të Maqedonisë Veriore, janë dëshmi më e mirë se rruga jonë është e drejtë dhe meriton përkrahjen e secilit votues në njësinë numër 6”, thuhet në kumtesën e PVD-së.