Fiket zjarri në deponinë e Preshevës
Kanë përfunduar punimet në fikjen e zjarrit brenda deponisë së qytetit
Pas paraqitjes së zjarrit në deponinë e qytetit dhe shpalljes së situatës së jashtëzakonshme në një pjesë të territorit të komunës së Preshevës nga ana e Shtabit për situata të jashtëzakonshme, ku është marrë vendimi për angazhimin e makinerive shtesë për fikjen e zjarrit, gjatë ditës së sotme me një angazhim intensiv të kompanive lokale, është arritur të bëhet fikja e plotë e zjarrit në deponi.
Siç ju kemi informuar që në deponi është trashëguar një situatë tejet e pavolitshme, ku kemi patur grumbullim pa kriter të mbeturinave, duke mos krijuar korridore qarkulluese për intervenim, ku bulldozeri për shtyrjen e mbeturinave ka qenë i bllokuar dhe motor të hequr, sistem të kamerave dhe internetit jashtë funksionit, si dhe neglizhencë totale ndaj menaxhimit të deponisë, poashtu dhe situatën e përgjithshme katastrofale financiare pas borxheve të grumbulluara në NP Moravica, e tëra kjo problematikë e kthen këtë ndërmarrje pikën 0 të krahasuar me vitin 2016, ku kishim të bënim me një Moravicë jofunksionale, të zhytur në borxhe e zhvatje të parasë e pronës publike.
Të vetëdijshëm për sfidat që do ta përcjellin këtë ndërmarrje, si dhe situatën e krijuar vitin e fundit, apelojmë tek qytetarët tanë që të paguajnë rregullisht obligimet e tyre ndaj NP Moravica, për shërbimet e ofruara, si dhe kujdes të shtuar në menaxhimin me mbeturinat, në përputhje me Konkluzionet e Shtabit për situata të jashtëzakonshme të mbledhjes së 14 korrikut 2022.