PARLAMENTI EVROPIAN: Serbia ta njohë Kosovën ose asgjë nga BE-ja
Parlamenti Europian i dha dritën jeshile rezolutës përmes të cilës kërkohet që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të “bazohet tek njohja e ndërsjellë”.
Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve europiane përmendet njohja reciproke.
Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet. Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente detyruese për vendet anëtare të bllokut.
Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve.
Po ashtu, në rezolutën e PE-së u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Në rastin e Kosovës, fokusi ishte edhe tek liberalizimi i vizave, çështje kjo për të cilën, deputetja gjermane, Viola von Cramon, e ngriti zërin sërish.
“Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm, e unë personalisht dhe Parlamenti Europian kemi ngritur vazhdimisht nevojën për liberalizimin e menjëhershëm të vizave, gjë që është zgjatur së tepërmi pavarësisht faktit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet”, tha Cramon.
Me përjashtimin e disa deputetëve nga radhët e të djathtës ekstreme, shumica e ligjvënësve e përkrahën liberalizimin e vizave për Kosovën, që u përfshi edhe në variantin final të tekstit të raportit i cili kaloi për votim.
Von Cramon tha se PE-ja mbështet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Megjithatë, ajo ka shprehur rezerva për mundësinë për aplikim për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për shkak të pesë shteteve qe e nuk e njohin mëvetësinë e saj.