Lajme

Vodhi 12 pula, burri nga Vitia dënohet me katër muaj burg

Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, e ka dënuar me 4 muaj burgim me kusht si dhe 150 euro gjobë me kusht N.N., i cili nga prokuroria akuzohej se në prill të 2019-ës bashkë me të miturin M.M., në një fshat të Komunës së Vitisë, kanë vjedhur 12 – 13 pula të racës greke, piklajka.

Një vendim të tillë e ka marr gjykatësja Blerina Jakupi Ramadani më 24 mars të këtij viti.

Ndërkaq, i dëmtuari S.S. për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ka refuzuar propozimin e prokurorisë për konfiskimin e pulave të vjedhura, pasi që katër pula i janë kthyer të dëmtuarit, ndërsa sasia tjetër e pulave nuk është gjetur dhe gjykata nuk mund të konfiskojë sende të cilat nuk dihet se ku gjenden.

Në këtë aktgjykim bëhet e ditur se në seancën fillestare të 23 marsit 2022, i akuzuari N.N. e ka pranuar fajësinë me të cilën ngarkohej, të cilin pranim ia kishte aprovuar gjyakta në fjalë.

“Pranimi i fajësisë mbështetet në faktet e çështjes të cilat i përmban aktakuza edhe atë: Raporti fillestar i incidentit me numër të rastit …, i datës 17.04.2019, deklarata e të dëmtuarit S.S, deklarata e dëshmitarit K.K., deklarata e të akuzuarit N.N., vërtetimi mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve e dt.10.04.2019, 4 pula-piklajka, racë greke, tek i akuzuari N.N., vërtetimi mbi kthimin e sendeve, 4 pula bardhë zi racë greke, pikalajka, tek i dëmtuari S.S., raporti i zyrtarit policor, foto-dokumentacioni, ekstrakti i gjendjes civile, në emër të S.S., si shkresat e tjera në lëndë dhe se aktakuza nuk përmban ndonjë shkelje ligjore e as gabime faktike”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 23 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj N.N., me arsyetimin se ai më 4 prill 2019, gjatë natës në një fshat të Komunës së Vitisë, në bashkëkryerje me të miturin M.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka kryer vjedhje në dëm të dëmtuarit S.S.

Sipas prokurorisë, i akuzuari me të miturin së bashku me biçikletë kanë shkuar dhe hyrë në oborrin e të dëmtuarit, ku nga koteci i pulave kanë marr diku rreth 12 – 13 pula të racës greke, bardhë e zi – piklajka, ku sipas të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm rreth 240 – 260 euro.

Me këtë, N.N akuzohej se ka kryer veprën penale “Vjedhja”, nga neni 325 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Related Articles

Back to top button