Kosova ia ndalon hyrjen gazetares ruse pasi ajo “merret me spiunazh”
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot në vendkalimin administrativ në veri të Kosovës, gazetares ruse Daria Aslamova i është ndaluar hyrja, pasi ajo “merret me spiunazh”.
Sveçla saktësoi në Facebook se Aslamova po prezantohet në mënyrë të rreme si gazetare dhe se pretendimet për aktivitetet e saj janë konfirmuar nga “shumë vende”.
“Ajo ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë përmes propagandës. Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për aktivitetin e saj, por edhe për ndalimin e hyrjes në disa shtete për shkak të aktivitetit të saj. Janë angazhuar aktorë përkatës deri në sqarimin e qëllimeve të saj“.
Sveçla tregon se si Aslamova u përpoq të hynte në Kosovë një javë pas tensioneve në veri.
“Përpjekja e saj për të hyrë në vendin tonë, përveç ngjarjeve në veri, dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse që Serbia tashmë i është bashkuar dhe që kishte për qëllim destabilizimin”, tha ai.