Ardita Sinani: “E nderuar të marr detyrën e këshilltares politike të Albin Kurtit”
E nderuar që sot me Vendim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, të marr detyrën e Këshilltares Politike për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në vazhdimësi të bashkëpunimit e bashkërendimit me Republikën e Kosovës, e në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve të Luginës, si dhe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave tona, pranova këtë detyrë dhe angazhim.
Hapi i ardhshëm, do të jetë themelimi i Zyrës për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, koordinimin e së cilës do ta bëjmë duke pasur parasysh gjendjen e vështirë socio-ekonomike të banorëve tanë.
Thellimi i vazhdueshëm i raporteve me institucionet e Republikës së Kosovës, e në këtë rast me Kryeministrin ka qenë dhe do të mbetet domosdoshmëri për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Vlerësimin që kjo detyrë dhe angazhim të më besohet mua, për të cilin jam jashtëzakonisht falëminderuese, do ta përkthej si synim për arritjen e qëllimeve të përbashkëta në të mirë të shqiptarëve të Luginës.