Nga sot policia rrugore shton kontrollin në rrugë
Nga data 16 deri më 22 shtator, policia rrugore do të zbatojë aksionin ndërkombëtar të kontrollit të shtuar të të gjithë pjesëmarrësve në trafik në Serbi.
Aksioni po zhvillohet në 30 shtete evropiane, anëtare të Rrjetit të Policisë Rrugore të Evropës dhe do të synojë zbulimin e shkeljeve të përdorimit të pahijshëm të celularit dhe mospërdorimit të rripit të sigurimit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Gjithashtu, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zbulimit të shkeljeve nga këmbësorët që përdorin celularë dhe kufje gjatë kalimit të rrugës.
“Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht ngasësit e rinj, që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të kontribuojnë në përmirësimin e sigurisë së tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik me sjellje të përgjegjshme”, përfundon komunikata e MPB-së.