Vuçiq: Nuk heqim dorë nga targat KM, janë dëshmi e pranisë së Serbisë në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se nuk do të tërhiqen sa i përket targave KM.
Ai ka thënë se këto janë dëshmi që Serbia është ende e pranishme në Kosovë.
“A do të thotë kjo se ne do të tërhiqemi nëse kërcënohen interesat tona jetike kombëtare? Jo, nuk do të tërhiqemi. Ne nuk do të tërhiqemi as me targat KM. Targat KM, sikurse edhe kartat e identitetit të Serbisë në Kosovë, janë dëshmi për ne që shteti i Serbisë është ende i pranishëm në Kosovë”, ka thënë Vuçiq në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për rrjedhën e dialogut me Kosovën e cila ka nisur të martën.
Vuçiq ka përsëritur frazën e tij se “ Kosova është pjesë e Serbisë. Ky është thelbi”, tha Vuçiq, përcjell “B92” të mërkurën.
Presidenti serb sot ka deklaruar se dikur ishte pro shkëmbimit të territoreve me Kosovën, por tash thotë se është kundër.