Lajme

Kryetari i LDK-së bashkon politikanët nga Presheva dhe Bujanoci

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në darkë pune të gjithë udhëheqësit partiak dhe liderët institucional të shqiptarëve të Luginës.

I shoqëruar edhe nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në këtë takim është biseduar për gjendjes e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Nga ky takim, dolëm dhe me apel të përbashkët për të gjithë shqiptarët e kësaj ane – ata që jetojnë në Luginë, Kosovë e Mërgatë – që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në tre komunat shqiptare”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kreu i LDK-së konsideroi se regjistrimi masiv është përgjigje ndaj diskriminimit të shqiptarëve të Luginës dhe shtoi se partia që ai drejton do të angazhohet për unifikimin e shqiptarëve në çështjet që e prekin interesin kombëtar.

“Si LDK, do të angazhohemi me të gjitha kapacitetet tona politike në unifikimin e spektrit politik shqiptar në çështjet me interes kombëtar; për të drejtat politike dhe civile të shqiptarëve të kësaj ane që sot jetojnë në Kosovë – me theks sigurimin e nënshtetësisë; si dhe ndihmesën shtetërore për banorët e komunave në fjalë”.

Më 1 tetor në Serbi ka nisur regjistrimi i popullsisë në Serbi dhe përfundon më 31 tetor.

Deri më tani liderët politikë në Kosovë kanë bërë thirrje të vazhdueshme që shqiptarët që jetojnë në Serbi t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë.

Related Articles

Back to top button