Lajme

Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë: Kemi humbur Kosovën, më pas do të humbim Preshevën, Sanxhakun dhe Vojvodinën

Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (Demokratska stranka Srbije – DSS) Milosh Jovanoviq ka deklaruar se dorëzimi i Kosovës do ta hapte shumë shpejt çështjen e rajonit të Rashkës (Sanxhakut), jugut të Serbisë (Luginës së Preshevës) dhe të Vojvodinës.

Ai, siç përcjell portali “danas”, në tribunën e kësaj partie në Kralevë ka thënë se kjo do të thotë që në të ardhmen brezat do të merren me gjeopolitikë në vend se të merren me ekonomi dhe zhvillim të Serbisë.

“Situatën duhet mbajtur në gjendjen e konfliktit të ngrirë, që do të thotë se aktualisht nuk ka zgjidhje përfundimtare“, ka thënë Jovanoviq.

Lideri i DSS-së ka theksuar se në vepër është “tradhtia e hapët”.

“Kur Vuçiqi thotë s se “po lufton për kufizim”, kjo do të thotë pranim i secesionit dhe i pavarësisë së 90-95 për qind të territorit të Kosovës”, ka vlerësuar Jovanoviq.

“Dikush në vitin 1999 ka mundur t’iu thotë ushtarëve e policëve në Kosovë se kot po e japin jetën pasi disa po e planifikojnë dorëzimin e Kosovës. Atë që e ka ndër mend ta bëjë Vuçiqi, s’e ka pasur kurrë askush ndër mend në këta gjashtë shekuj të fundit”, ka thënë ai.

Kryetari i Lëvizjes shtetformuese Slobodan Samarxhiq ka thënë se pushteti i Serbisë e ka detyrim moral, politik dhe kushtetues ta mbrojë Kosovën.

“Kosova përkohësisht është territor i marrë. E nëse hiqet dorë nga ai territor, nga pikëpamja ndërkombëtare, pronar bëhet ai me të cilin është bërë marrëveshja“, ka thënë Samarxhiq.

Ka vlerësuar se pushteti do të mundë të bënte kthesë në politikën kosovare që e zhvillon, porse ai këtë nuk po e bën.

Sipas zyrtarit tjetër të DSS-së ,Milosh Koviq, Serbia tani ndodhet në prag të tradhtisë më të madhe gjatë historisë”.

Related Articles

Back to top button