Për 13 ditë janë regjistruar 30 mijë banorë në Preshevë

Sipas shifrave të publikuara nga kryetari i komisionit komunal për regjistrim në Komunën e Preshevës, Hevzi Ramadani, për trembedhjete ditë, nga 1 tetori janë regjistruar 30 mijë e banorë.
“Të nderuar qytetarë, regjistruesit tanë arritën shifrën e mbi 30.000 banorëve që kanë regjistruar në territorin e komunës së Preshevës.Në disa rrugë të qytetit dhe në disa fshatra kemi mungesë të regjistruesve. Prej të hënës thuajse pjesët e mbetura pa regjistrues do të plotësohen me regjistruesit e tjerë që kanë përfunduar rrethin e tyre të regjistrimit. Koha na premton dhe gjithë qytetarët do të regjistrohen, na duhet vetëm durim.”, ka thënë Ramadani.
Në regjistrimin e fundit kur shqiptarët në Serbi kishin marrë pjesë, në vitin 2002 në Preshevë nga 34 mijë e 904 banorë gjithsej të regjistruar, prej tyre 31 mijë e 98 ishin shqiptarë.