Grida Duma largohet nga politika, dorëzon mandatin e deputetes
Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma në një deklaratë urgjente për mediat ka lajmëruar largimin e saj nga politika, duke lënë mandatin e deputetes.
Grida Duma e mori mandatin vitin e kaluar në zgjedhjet e 25 prillit. Duma ka qenë një nga zërat më aktivë të opozitës në Kuvend, por edhe në publik.
“Pak çaste më parë kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, për të bërë të duhur për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është vendimi i duhur. Mendoj se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kahje me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë. Fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni që zgjodha”, tha Duma.
“Më e thjeshta për mua do të ishte të kisha qëndruar, të prisja të ndodhin dështimet që disa i parashikojnë, të vegjetoja, të bëja sikur nuk i shihja problemet e brendshme. Por, unë nuk i jam larguar kurrë përgjegjësisë”, tha Duma në një konferencë për shtyp.
“Të qëndroja me “sikur” nuk funksionon për ndërgjegjen time. Mund të rehatohesha në komoditete personale, por duhet të bëjmë më shumë për fitoren reale”, theksoi Duma.