Lajme

Kosovë/ Nis sot zbatimi i masave për reciprocitetin, kush qarkullon me targa serbe merr qortim, më pas gjobë 150 euro

Nga 1 Nentori nis zbatimi i masave për reciprocitetin e targave mes Kosovës dhe Serbisë. Nisur nga kërkesat e ndërkombëtarëve për shtyrje të afatit, qeveria e Kosovës ka vendosur që nga sot deri më 21 nëntor të gjithë pronarët e makinave me targa serbe në Kosovë vetëm të qortohen dhe t’u tërhiqet vëmendja që të shkojnë dhe të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë ende mjete me targa serbe që të konvertojnë targën në atë të Kosovës dhe t’i japin fund paligjshmërisë, pasi targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’ nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Pas datës 21 nëntorit, plani futet në tjetër fazë, ku çdo person që ende posedon targa serbe në Kosovë do të gjobitet me një gjobë me vlerë 150 eurosh. Gjoba do të aplikohet deri më 21 janar, ndërsa data 21 prill është vendosur nga kryeministri Albin Kurti si afati i fundit për futjen në fuqi të vendimit për reciprocitetin e targave. Që do të thotë pas datës 21 prill asnjë makinë me targë serbe nuk do të lejohet të qarkullojë në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kosovës që ta shtyje zbatimin e vendimit me 10 muaj. Ato shprehen të zhgënjyer pse Kosova nuk mori parasysh kërkesat e tyre, ndonëse kryeministri Albin Kurti bëri një hap pas duke e shtrirë planin në tre faza.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar nga Kosova një shtyrje të plotë të afatit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e jo “shtyrje të pjesshme”.

Kosova më 1 shtator hapi afatin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Qytetarët do të kenë kohë deri më 21 prill që të konvertojnë targat serbe –me akronime serbe për qytete të Kosovës sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – në targat RKS – Republika e Kosovës .

Pavarësisht se fushata për riregjistrim po vazhdon, deri më tani është parë një interesim i ulët i qytetarëve serbë që jetojnë në veri të Kosovës, për t’i konvertuar targat e makinave të tyre në RKS. Qytetarët serbë të Kosovës që përdorin këto targa, duhet t’i konvertojnë ato në targa të Republikës së Kosovës, në të kundërtën, makinat e tyre nuk do të mund të qarkullojnë më në Kosovë, pas datës 21 prill.

Related Articles

Back to top button