Nga 17 Maji Air Serbia do të ketë fluturim direkt për Çikago
Air Serbia do të vendosë fluturime direkte ndërmjet Beogradit dhe Çikagos (aeroporti O’Her – ORD) duke filluar nga 17 maj 2023 dhe kështu do të vazhdojë të zgjerojë operacionet e saj në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas një pauze prej më shumë se 30 vitesh, linja ajrore kombëtare serbe po rivendos trafikun drejt qytetit të famshëm “Windy City”, thuhet në njoftim.
Deri më 11 qershor fluturimet do të kryhen dy herë në javë, të mërkurën dhe të shtunën, ndërsa nga 12 qershori, fluturimet ndërmjet Beogradit dhe Çikagos do të kryhen tre herë në javë, të hënën, të mërkurën dhe të shtunën. Fluturimet do të zgjasin rreth 11 orë dhe do të operohen me avionë Airbus A330 nga flota e largët e Air Serbia.
Duke rifilluar fluturimet në këtë linjë, Air Serbia, nëpërmjet Beogradit, do të mundësojë lidhje të mira midis Çikagos dhe qyteteve të tjera në rrjetin e saj, si Athina, Vjena, Berlini, Bolonja, Bukureshti, Dubrovnik, Stambolli, Larnaka, Lubjana, Praga, Pula, Podgorica, Roma, Sarajeva, Shkupi, Sofja, Tivati, Venecia, Zagrebi e të tjera.
Nga ana tjetër, falë bashkëpunimit ndërlinjë me kompanitë JetBlu dhe American Airlines, Air Serbia do të jetë në gjendje të ofrojë lidhje më të mira për pasagjerët që vazhdojnë udhëtimet e tyre nga Çikago dhe Nju Jorku në pika të tjera brenda Amerikës së Veriut.