Qytetarët: Në Preshevë, Bujanoc dhe Vranjë ka shumë korrupsion
Më shumë se 50 për qind e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Vranjës të cilët kanë marrë pjesë në hulumtimin për korrupsion besojnë se ka shumë korrupsion në qytetet ku jetojnë.
“Hulumtimi tregon se jo më pak se 85 për qind e banorëve të Preshevës, Bujanocit dhe Vranjës janë të vetëdijshëm për rastet e korrupsionit dhe mendojnë se korrupsioni është problem. Ajo që është edhe më e keqja është se pothuajse 50 për qind e njerëzve në këto qytete mendojnë se ka shumë korrupsion në komunat e tyre” tha Danilo Miliq nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme, një organizatë që mbështeti kërkimin si pjesë e projektit Koalicioni për Transparencën e Jugut Serbisë.
Rezultatet më domethënëse të hulumtimit për korrupsionin në Preshevë, Bujanoc dhe Vranjë si dhe rekomandime për veprim në luftën kundër korrupsionit, u sublimuan në publikimin, i cili u prezantua në Vranjë të organizuar nga Qendra Rome për Demokraci (QZH).
Miliq thotë se hulumtimi është bërë mirë, por të dhënat janë trishtuese dhe dëshpëruese.
“Është e qartë se Serbia nuk po bën progres kur është fjala për korrupsionin, ajo tani është në vendin e 77-të ose të 78-të në botë sipas përhapjes së korrupsionit. Është detyrë e neve nga shoqëria civile që t’i vëmë në dukje raste të tilla, të bëjmë një raport, të publikojmë një hetim të tillë, por të tjerat i takon dikujt tjetër” tha Miliq, transmeton Presheva.AL.
Hulumtimi për korrupsion në nivel lokal në njësitë e vetëqeverisjes lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Vranjë, u realizua nga maji deri në gusht të këtij viti.
Ai u fokusua në informatat, opinionet, perceptimet dhe përvojat e qytetarëve me korrupsion në nivel lokal, në komunat e përmendura të Serbisë jugore dhe përfshinte më shumë se 800 qytetarë.