Lajme

Escobar: Dy kushtet e Uashingtonit për nismën “Ballkani i Hapur”

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka treguar se si e sheh Uashingtoni nismën “Ballkani i Hapur”. Në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” ai thotë se SHBA ka një qëndrim të qartë për këtë çështje.

“Qëndrimi ynë sa i përket Ballkanit të Hapur është shumë i qartë. Ne mbështesim të gjitha nismat për integrim ekonomik rajonal, me dy kushte. E para, që ato t’ju sjellin më afër Evropës dhe të mos bien ndesh me obligimet tuaja evropiane, qoftë të Procesit të Berlinit apo çfarëdo nisme të udhëhequr nga BE-ja.

Dhe e dyta, që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të lejohen që t’iu bashkohen [nismave] si anëtarë me të drejta të plota. Deri më tani, Ballkani i Hapur kualifikohet në këto dy kategori. Tani, nëse dështon që t’i respektojë ndonjërën nga këto dy kushte, ne absolutisht që do të tërheqim mbështetjen për Ballkanin e Hapur”, tha Escobar.

I pyetur nëse anëtarësimi i Malit të Zi në këtë nismë do të rrezikojë destabilizimin e këtij vendi, Escobar thotë se nuk e sheh kështu.

“Jo. Nuk mendoj sepse të jem i qartë, nisma e Ballkanit të Hapur po përfiton nga trendet ekzistues të integrimit rajonal. Dhe COVID-i e ka përshpejtuar këtë integrim në rajon sepse njerëzit nuk mund të udhëtonin përmes transportit ajror, ata udhëtonin me vetura. Udhëtonin më shumë me vetura në rajon.

Keni parë serbët duke shkuar në bregdetin shqiptar, keni parë biznesmenët shqiptarë duke bërë më shumë biznes në Beograd, duke shkuar atje për t’u vaksinuar. Keni parë lidhje shumë të rëndësishme të energjisë dhe transportit midis Maqedonisë së Veriut dhe pjesës tjetër të rajonit.

Pra, kjo veçse po ndodh. Pyetja është se si të krijohet më së miri momentumi për t’i larguar barrierat për tregti të lirë. Prandaj, qoftë Proces i Berlinit, Ballkan i Hapur, CEFTA, Këshill për Bashkëpunim Rajonal apo treg i përbashkët rajonal, ne i mbështesim të gjitha”, tha Escobar.

Related Articles

Back to top button