Lajme

Gjermania po planifikon edhe më tepër të tërheq punëtorët e huaj

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Gjermania duhet të tërheqë më shumë punëtorë të huaj.

Ai shtoi gjithashtu se shteti duhet të lehtësojë punën për gratë dhe të moshuarit në mënyrë që të shmanget mungesa e fuqisë punëtore në vitet e ardhshme dhe të parandalohet një krizë në sistemin e sigurimeve pensionale.

Në një forum të qytetarëve në Potsdam, afër Berlinit, Scholz tha se qeveria gjermane po punon shumë për të ruajtur ekonominë më të fortë të Evropës dhe për të tërhequr punëtorë të huaj.

Qeveria gjermane miratoi muajin e kaluar plane për të reformuar ligjin e saj të imigracionit, ndërsa Berlini kërkon të hapë tregun gjerman të punës për punëtorët shumë të nevojshëm nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Scholz tha se kjo do të thotë se qeveria gjermane ka të ngjarë të mos ketë nevojë të rrisë ndjeshëm kontributet e pensioneve deri në fund të mandatit të saj në 2025.

Në një intervistë të publikuar nga grupi mediatik Funke, kancelari gjerman tregoi se qeveria e tij do të dëshironte të shihte një rritje të përqindjes së grave në fuqinë totale të punës.

Në Gjermani, 72.1 përqind e popullsisë femërore është aktualisht e punësuar, krahasuar me 85.3 përqind në Suedi.

Scholz tha se është e rëndësishme t’u mundësohet më shumë njerëzve të punojnë deri në moshën zyrtare të pensionit dhe shtoi se “sot është e vështirë për shumë njerëz të arrijnë”.

Enti Gjerman i Statistikave njoftoi javën e kaluar se për shkak të migrimit nga Ukraina, këtë vit numri i banorëve në Gjermani do të rritet me një milion, në një total prej 84 milionë, dhe se në rastin e një shkalle të lartë migrimi deri në vitin 2070, numri i banorëve mund të arrijë në 90 milionë.

Related Articles

Back to top button