OBSH flet për Covid! A jemi drejt fundit të pandemisë? Edhe po, edhe jo
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 90% e popullsisë botërore tani ka njëfarë rezistence ndaj Covid-19, por paralajmëroi se mund të shfaqet një variant i ri shqetësues. Mungesa e vigjilencës ka krijuar mundësinë për shfaqjen e një varianti të ri të virusit, i cili mund të kapërcejë Omicron-in dominues, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“OBSH vlerëson se të paktën 90% e popullsisë së botës tani ka njëfarë niveli imuniteti ndaj Sars-CoV-2, për shkak të infeksionit ose vaksinimit të mëparshëm”, tha Tedros, duke iu referuar virusit që shkakton sëmundjen Covid-19. “Ne jemi shumë më afër që të jemi në gjendje të themi se faza e urgjencës së pandemisë ka mbaruar – por ne nuk jemi ende atje,” u tha ai gazetarëve.
“Boshllëqet në mbikëqyrje, testim dhe vaksinim po vazhdojnë të krijojnë kushtet perfekte për t’u shfaqur një variant i ri shqetësues që mund të shkaktojë vdekshmëri të konsiderueshme.”
Tedros tha se tani qarkullojnë më shumë se 500 nënlloje të Omicron, shumë të transmetueshme. Në të gjithë botën, janë raportuar 6.6 milionë vdekje nga Covid në OBSH, nga afro 640 milionë raste të regjistruara. Ai tha se më shumë se 8,500 njerëz humbën jetën nga Covid javën e kaluar, “gjë që nuk është e pranueshme tre vjet pas pandemisë, kur kemi kaq shumë mjete për të parandaluar infeksionet dhe për të shpëtuar jetë”.