Albin Kurti: Asociacioni mund të trajtohet në marrëveshjen finale me Serbinë. Kushtetuta e Kosovës nuk lejon që…
Serbia vazhdon të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpreh shqetësimin, se një Asociacion, ashtu siç e kërkon Serbia, nënkupton bosnjëzim të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shumë diplomatë perëndimorë po këmbëngulin që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ata presin që propozimi të dalë në tryezën e bisedimeve. Këtë e bëri të qartë, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet gjatë vizitës së tij në Kosovë. Sipas tij, Asociacioni duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. “Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Serpska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marrëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha Derek Chollet.
Chollet është i mendimit, se “Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”. Chollet vizitoi edhe Beogradin ku takoi Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb u shpreh, se ai pret nga SHBA-ja që ta bindë Prishtinën të zbatojë marrëveshjet. “Shpreha pritjen që Shtetet e Bashkuara të njohin përpjekjet e vendit tonë në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon, si dhe të përdorë ndikimin e saj dhe të inkurajojë Prishtinën që të përmbushë detyrimet e saj në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara, por edhe të vazhdojë dialogu në frymën e sinqeritetit dhe çiltërsisë, shkëmbimi i propozimeve për zgjidhjen e sfidave të posaçme’, tha Vuçiq.
Kurti: Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion një-etnik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha gjatë një vizite në Vjenë ku takoi kancelarin Austriak Karl Nahammer, se çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të adresohet brenda një marrëveshjeje eventuale për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e përjashtuar mundësinë që Asociacioni të jetë njëetnik. “Jemi në një moment kur flasim dhe diskutojmë për një marrëveshje të normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga zoti Marti Ahtisaari dhe nga zoti Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një-etnik. Fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhjeje që është hartuar nga Ahtisari dhe Rohan, thotë se Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike”, tha Kurti.
Kosova i garanton të drejtat e pakicave, ka theksuar Kurti. “Asociacionet apo institucionet monoetnike nuk janë në frymën e atij plani apo Kushtetutës sonë. Megjithatë, ne ofrojmë garanci dhe të drejtat më të mira dhe më të mëdha për të gjitha pakicat ose komunitetet jo shumicë në Kosovë dhe jam shumë i angazhuar në këtë drejtim. Por, pa nënvlerësuar kushtetutshmërisë e vendit tonë”, tha kryeministri Kurti.
Escobar: Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ligjor
Deklarimet e këshilltarit të departamentit amerikan të shtetit Derek Chollet për Asociacionin i përforcoi zëvendës-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili shoqëronte zotin Chollet gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd. Escobar tha se Asociacioni është obligim i detyrueshëm ligjor për të gjitha palët dhe nga ai nuk mund të ikë një parti apo një individ. “Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ligjor ndërkombëtar. Ai e obligon Kosovën, obligon Serbinë dhe e obligon BE-në që e ka udhëhequr, dhe pse ne e kemi përkrahur, është përkushtim i yni. Andaj, një parti dhe një individ nuk mund të ikë nga ai njëanshëm”, tha Escobar. Sipas tij, publiku duhet ta kuptojë që “anëtarë shumë konstruktivë të shoqërisë civile, grupe multietnike që duan që kjo të ndodhë, organizata hulumtuese që kanë punuar shumë për të parë se si mund të funksionojë kjo, dhe që nuk e rrezikon funksionalitetin e Kosovës ose bie ndesh me Kushtetutën apo me ligjet e saj”. “Këta janë partnerët nga të cilët do të filloj të kërkoj që të na ndihmojnë t’i krijojmë disa ide dhe të demistifikojnë dhe t’i lehtësojnë disa nga frikët që njerëzit mund t’i kenë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, sqaroi Escobar.
Qëndrimi amerikan është mbështetur edhe nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili bëri thirrje edhe një herë që të gjitha marrëveshjet e Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të zbatohen, përfshirë edhe Asociacionin. “Plotësisht dakord me Cholletin se është koha e fundit që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të zbatohen me shpejtësi, duke përfshirë krijimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Propozimi nga Kosova ende nuk është aty”, shkroi ambasadori Rohde në Twitter. Ambasadori gjerman më tej shkroi se “është e nevojshme që serbët e dorëhequr të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës”.
“Tërheqja e serbëve nga institucionet nuk është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit. Kthimi i menjëhershëm është i nevojshëm dhe duhet të lehtësohet nga të gjithë. Dua të nënvizoj se BE e SHBA janë plotësisht në linjë”, shkroi ambasadori Rohde.
Çfarë parashikon Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe?
Asociacioni parasheh mbledhjen rreth vetes të dhjetë komunave në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Përmes Asociacionit, këto komuna do të përfaqësojnë interesat kolektive të tyre, sidomos në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Sipas rikonfirmimit të marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për Asociacionin, objektivat kryesorë janë: ai ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015, tha se kjo marrëveshje e nënshkruar bie ndesh në disa pika me Kushtetutën, po kjo mund të rregullohet përmes ligjeve. Gjatë muajit janar në Kosovë dhe Serbi pritet të qëndrojnë edhe diplomatë tjerë amerikanë e evropianë ku tashmë është paralajmëruar se diskutimet pritet të përqendrohen në propozimin Franko-gjerman për një marrëveshje finale ndërmjet të dyja vendeve Kosovës dhe Serbisë.