Mungesa e paracetamolit: Ndalohen shitjet online

Qeveria franceze ka ndaluar shitjen online të produkteve me bazë paracetamoli nga sot deri në fund të janarit, për shkak të vështirësive në marrjen e ilaçit kundër dhimbjeve.
Qeveria njoftoi në Fletoren Zyrtare se deri më 31 janar është pezulluar shitja online e barnave të përbëra ekskluzivisht nga paracetamol.
Vendimi është marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme të barnave me bazë paracetamoli, veçanërisht në formularë për fëmijë, gjatë gjashtë muajve të fundit, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se masat e marra nga autoritetet shëndetësore, edhe pse kanë qenë efektive, deri më tani nuk kanë arritur t’i japin fund plotësisht këtyre vështirësive në prokurim.
Prej disa muajsh, Agjencia Kombëtare për Sigurinë e Barnave u ka kërkuar farmacive franceze që të kufizojnë shitjen e paracetamolit tek individët.
Në dhjetor, ministria franceze e shëndetësisë paralajmëroi se pavarësisht masave, situata mbetet “komplekse” dhe do të duhen disa javë të tjera për t’u zgjidhur.
Në vendim, qeveria franceze vuri në dukje përkeqësimin e situatës shëndetësore në Kinë, ku numri i rasteve me Covid shpërtheu pas heqjes së papritur të masave drastike shëndetësore në gjysmën e parë të dhjetorit.
Qeveria kineze ka ndaluar eksportin e paracetamolit dhe vendi prodhon shumë nga përbërësit kryesorë të përdorur nga laboratorët në mbarë botën.
Vështirësitë e furnizimit vijnë mes mungesës së gjerë të disa ilaçeve në Francë dhe vende të tjera, duke filluar me antibiotikët si amoksicilina.