Hiqen vulat në pasaporta për udhëtimet drejt BE
Mbajtësit e pasaportave nga vendet e ish-Jugosllavisë që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian nuk do t’u vulosen më dokumentet e udhëtimit në aeroport kur hyjnë ose dalin nga vendet anëtare të bllokut që janë pjesë e zonës Shengen.
I njohur si Sistemi i hyrjes/daljes (EES), informacioni për hyrjen dhe daljen nga BE do të regjistrohet automatikisht përmes sistemit të ri të automatizuar.
Sistemi i ri është i lidhur me Sistemin e ardhshëm Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili pritet të zbatohet në nëntor.
“Do të preken 60 vende që kualifikohen për regjimin pa viza, që do të thotë 1.4 miliardë njerëz do të preken nga sistemi dhe në këtë kuptim nuk ka diskriminim,per asnje vend.
Përfaqësuesit politik i zyrës së BE -së thonë se, përpara se të udhëtojnë do të aplikojnë në sistemin ETIAS për të marrë një kod, i cili do u shërbejë për tre vite dhe me të mund të udhëtojnë në çdo vend të BE. Kusht i vetëm është që pasaporta duhet të jetë e vlefshme brenda këtyre tre viteve.
“Në terma praktikë, aplikoni një herë për të marrë autorizimin për hyrje dhe ai është i vlefshëm për tre vjet, për sa kohë përdorni të njëjtën pasaportë biometrike. Nëse ndërroni pasaportën, do t’ju duhet të aplikoni sërish. Do të ketë një kosto shumë të vogël për këtë, por sërish, është i vlefshëm për tre vjet, kështu që nuk do të ndikojnë në lirinë tuaj të lëvizjes”,thone ata.
Shtrohet pyetja nëse në këtë mënyrë kufizohet lëvizja drejt vendeve të BE, thonë se nuk ka asnjë kufizim lëvizjeje.
“Në fakt nuk i prek ata, në kuptimin që nuk ndryshon asgjë në lirinë e lëvizjes dhe mundësinë për të ardhur në BE. Pra, nuk ndryshon asgjë sa i përket lirisë së lëvizjes, është thjesht një autorizim hyrjeje, siç ishte dikur në kufi, por këtë herë aplikoni që më parë”, shpjegojne ata.
Por çfarë ndodh nëse një qytetari i refuzohet kërkesa, apo kodi në sistemin ETIAS përpara udhëtimit?
“Qytetarët kanë të drejtë të apelojnë. Është një faqe interneti ku qytetarët do të mund bëjnë aplikimin, duhet të specifikojnë se cilin vend dëshirojnë të vizitojnë, pastaj vendi do të marrë vendimin dhe nëse vendimi do të jetë negativ do të apelohet tek autoritetet e vendit ku personi dëshironte të shkonte”.
Vendim i Bashkimit Europian u mor për t’u siguruar që njerëzit që dëshirojnë të udhëtojnë në BE kanë përputhshmëri me kërkesat për të hyrë, në mënyrë që të mos ketë të papritura në kufi.
“EES do të zëvendësojë sistemin ekzistues të vulosjes manuale në pasaporta, i cili kërkon kohë, nuk ofron të dhëna të besueshme për kalimet kufitare dhe nuk lejon zbulimin sistematik të atyre që kanë kaluar qëndrimin”, njoftoi Komisioni i BE-së për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme.
Sistemi do të regjistrojë informacione specifike për pasagjerët, duke përfshirë emrin e tyre, gjurmët e gishtërinjve, imazhin e fytyrës, llojin e dokumentit të udhëtimit, datën dhe vendin e hyrjes, datën dhe vendin e daljes, si dhe periudhën e qëndrimit të tyre në zonën Shengen.