Lajme

Kosovës i shtohen 433 policë të rinj

Moment i veçantë krenarie sot për të gjithë ne dhe Republikën e Kosovës me rastin e diplomimit të Gjeneratës së 57-të të Kadetëve Policor.

433 të reja e të rinj sot dhanë betimin për shërbim ndaj vendit dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim. Në profesionin më fisnik që ata kanë zgjedhur, të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë vlerë e shtuar në arritjen e aspiratave të vendit tonë. Respektimi i ligjit, paanshmëria në shërbim, përkushtimi ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë do të jenë synimet e kësaj gjenerate e të gjitha të tjerave që do të vijnë në vijim. Integriteti moral e profesional i secilit dhe ngritja profesionale e akademike që garantojnë polici edhe më efikase janë synimet tona të përbashkëta.

Kisha nderin e veçantë që në këtë ditë të suksesshme për Republikën tonë, në shenjë falënderimi për kontributin e vazhdueshëm për Policinë e Kosovës, të dekoroj me Medalje për Meritë z. Michael Davenport, Ambasador i OSBE-së në Kosovë dhe znj. Kimberly Riffe, Udhëheqëse e Programit Ndërkombëtar të asistencës për trajnime në hetimet penale të departamentit të drejtësisë në kuadër të Ambasadës Amerikane.

Urime edhe njëherë të gjithë kadetëve. Qofshi faqebardhë në misionin që keni nisur sot!

Related Articles

Back to top button