OBSH thirri një mbledhje urgjente për shkak të sëmundjes vdekjeprurëse që po përhapet
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se është thirrur një mbledhje urgjente për shkak të situatës në Guinenë Ekuatoriale, e cila ka konfirmuar përhapjen e virusit vdekjeprurës Marburg.
Është një sëmundje shumë ngjitëse dhe vdekjeprurëse e ngjashme me Ebolën.
Guinea Ekuatoriale ka konfirmuar shpërthimin, pasi të paktën nëntë persona kanë vdekur, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Vendi i vogël i Afrikës Qendrore vendosi në karantinë më shumë se 200 njerëz dhe kufizoi lëvizjen javën e kaluar në provincën Kie-Ntem pas zbulimit të një ethe hemorragjike të panjohur, raporton Reuters.
Kameruni fqinj gjithashtu ka kufizuar lëvizjen përgjatë kufirit të tij për shkak të shqetësimeve për përhapjen e infeksionit.
Përveç nëntë vdekjeve, 16 raste të virusit të dyshuar Marburg janë raportuar në Guinenë Ekuatoriale, të cilat përfshijnë simptoma të etheve, lodhjes, si dhe të vjella dhe diarre të përgjakshme, tha OBSH.
Sipas organizatës, sëmundja e virusit Marburg mund të ketë një shkallë vdekshmërie deri në 88 përqind, pa vaksina ose trajtime antivirale të miratuara për trajtim.
Autoritetet lokale shëndetësore fillimisht raportuan një rast të një sëmundjeje të panjohur që shkakton ethe hemorragjike dhe një mostër u dërgua në një laborator në Senegal të hënën e kaluar, i cili rezultoi pozitiv për virusin Marburg.
Është bërë e ditur se ekipe speciale po kryejnë gjurmimin dhe monitorimin e kontakteve, izolimin dhe trajtimin e rasteve të dyshuara.