Serbia largon nga puna përkthyesin që vendosi në tekst Republika e Kosovës
Qeveria e Serbisë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një përkthyesi dhe e ka shkarkuar shefin e zyrës për bashkëpunim me media, për shkak të një raporti të publikuar në ueb-faqen e qeverisë që Kosovës i referohej si Republikë [Republika Kosovo].
Siç thuhet në njoftimin e 9 shkurtit të Qeverisë serbe, në mbledhje është vendosur që të niset procedurë disiplinore ndaj përkthyesit, i cili thuhet se ka bërë “gabim të rëndë në përkthimin e tekstit në gjuhën angleze”.
Kosova shpalli pavarësinë më 2008, por Beogradi refuzon që ta njohë atë. Qëndrimi zyrtar i Serbisë është që Kosova është ende pjesë e saj.
Gjithashtu, është vendosur edhe që të shkarkohet shefi i zyrës për bashkëpunim me media, ku ushtruese e detyrës në këtë pozitë është caktuar Divna Vidakoviq.
Më 6 shkurt, Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se në raportin ku ishte shkruar Republika e Kosovës ishte bërë gabim gjatë përkthimit. Ajo shtoi se ky gabim “është i rëndë dhe i pafalshëm i përkthyesit”.
Ajo tha se kjo përmbajtja ishte larguar menjëherë nga ueb-faqja e Qeverisë serbe.