Tani dhe definitivisht: BE-ja ka ndaluar shitjen e makinave të reja me benzinë dhe naftë
Parlamenti Evropian dha miratimin përfundimtar të martën për zbatimin e detyrueshëm të normave zero të emetimeve për makinat dhe furgonët e rinj nga viti 2035, që do të thotë se në 12 vjet nuk do të shiten makina të reja me benzinë dhe naftë.
Standardet e reja të emetimit të CO2 për makinat dhe furgonat janë pjesë e paketës legjislative “Gati për 55” dhe vendimi u mbështet me 340 vota pro, 279 kundër dhe 21 abstenime.
Rregullorja u mbështet nga përfaqësues të socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve në Parlamentin Evropian.
“Kjo rregullore inkurajon prodhimin e automjeteve me emetim zero dhe me emetim të ulët. Këto qëllime ofrojnë qartësi për industrinë e automobilave dhe inkurajojnë prodhuesit e makinave të inovojnë dhe investojnë. Do të jetë më e përballueshme për konsumatorët të blejnë dhe përdorin automjete me emetim zero, dhe tregu i automjeteve të përdorura do të zhvillohet më shpejt. Në këtë mënyrë transporti i qëndrueshëm do të bëhet i disponueshëm për të gjithë”, tha raportuesi i Klubit Liberal Jan Huitema (Rinovo).
Tp do të thotë që pas 12 vitesh nuk do të mund të shiten më makina të reja me motor naftë dhe benzinë, por vetëm automjete të reja pa emetim të dëmshëm. Objektivat kalimtare për reduktimin e emetimeve të dëmshme për vitin 2030 janë 55 për qind për makinat dhe 50 për qind për automjetet e lehta komerciale.
Praktikisht, kjo do të thotë se makinat dhe furgonët e rinj në treg nuk do të lejohen më të lëshojnë CO2, por makinat me motorë me djegie të brendshme nuk do të zhduken nga rrugët.
Edhe pas vitit 2035, qytetarët do të mund të drejtojnë makinat e tyre ekzistuese me motorë me djegie të brendshme, madje edhe të blejnë makina të përdorura me benzinë dhe naftë.
Pas votimit përfundimtar në seancën plenare të Parlamentit Evropian, teksti ende duhet të miratohet zyrtarisht nga Këshilli përpara se të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së.