Lëshohen në punë provuese semaforët në Preshevë
Pas një pune intensive të kompanisë kontraktuese në kryqëzimin më të ngarkuar të qytetit, si në aspektin mbitokësor për shkak të kaosit në trafik, poashtu edhe në aspektin nëntokësor ku kalojnë një mori kabllosh telefonike, elektro-energjetike, tubacione të ujësjellësit e kanalizimeve etj., kanë arritur të vendosen semaforët, ku tashmë dhe janë vënë në punë provuese.
Për një periudhë dy-tri javore semaforët do të punojnë vetëm në ngjyrën e verdhë, si periudhë kalimtare që të mësohen pjesëmarrësit e trafikut me regjimin e ri në trafik në këtë kryqëzim, deri në vënien në punë të rregullt të tyre.
Komuna e Preshevës është e përkushtuar në vendosjen e rregullit në trafik dhe ngritjen e nivelit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Pas këtij projekti, do të pasojnë dhe projekte të tjera, sidomos në zonën kryesore të qytetit, me theks të veçantë lirimin e hapësirave për këmbësorët.